image Gjykatat reduktojnë punën: Rreth 150 seanca gjyqësore u shtynë në Prishtinë, mbi 20 në Gjakovë

Drejtësi

Gjykatat reduktojnë punën: Rreth 150 seanca gjyqësore u shtynë në Prishtinë, mbi 20 në Gjakovë

news image

Pas vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët, Këshillimi Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim që të reduktojë punën dhe të ofrojë vetëm shërbime esenciale. Kësisoj, Gjykatat kanë shtyrë seancat e parapara të mbahen, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot janë shtyrë 150 seanca, shifër kjo në të cilën s’janë përfshirë edhe degët e kësaj gjykate.

Këtë e ka bërë të ditur për Sinjalin Mirlinda Gashi, zëdhënëse në këtë gjykatë.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione,  ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022,  është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi për Gazetën Sinjali.

Ndërkohë mbi 20 seanca janë shtyrë në Gjykatën Themelore të Gjakovës. Lajmin e konfirmoi Lekë Muqaj, zëdhënës i kësaj gjykate, i cili ka dhënë detaje për seancat që ishin paraparë të zhvillohen.

“Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë shtyrë 14 seanca gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec është shtyer 1 seancë gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë janë shtyrë 7 seanca gjyqësore”.

Muqaj ka treguar se Gjykata është duke u respektuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke i listuar shërbimet esenciale që do të kryhen:

1.    Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore;

2.    Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme;

3.    Ekzekutimi i vendimeve penale;

4.    Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);

5.    Çështjet e sigurimit të kërkesë padisë (të gjitha fushat);

6.    Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës;

7.    Procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat);

8.    Të gjitha shërbimet administrative. 

Edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra tha se janë anuluar të gjitha seancat e parapara dhe se po respektojnë vendimin.

“Jemi duke e zbatuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGJK), e cili ka listuar shërbimet esenciale që ofrohen nga data 24 Nëntor deri më datë 8 Dhjetor 2022.”, tha Sabiti për Sinjalin.

Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin e Qeverisë, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zogaj tha se Këshilli nuk do të tërhiqet nga ky vendim deri në ndryshim të vendimit nga Qeveria.

“Ky vendim do të ndikojë edhe në luftën kundër korrupsionit, e konsiderojmë si përpjekje me ndiku në punën e sistemit gjyqësor dhe me zvogëlu pavarësinë. Qeveria duhet të qëndrojë larg gjyqësori. Jemi gardianë për të mbrojtur gjyqësorin.”, tha ai në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur mbrëmë.

/GazetaSinjali/