image Gjykata merr vendim për të dyshuarin i cili bleu 400 kg drogë në Shqipëri dhe i shiti në Kosovë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për të dyshuarin i cili bleu 400 kg drogë në Shqipëri dhe i shiti në Kosovë

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit S.T, për tri vepra penale, shkruan Gazeta Sinjali.

S.T akuzohet për këto vepra penale; “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të Kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.T., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

I pandehuri S.T., nga data e pavërtetuar e deri më tani, pa autorizim shpërndan, shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon në transit, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, blen substanca narkotike të llojit “mariuhanë”, në sasi të mëdha rreth 400 kg në javë, nga disa persona nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e sjell në Republikën e Kosovës, përmes rrugëve ilegale, ku më pas e shet në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri S.T., me datë të pacaktuar deri më datë 03.10.2021, në periudhën kohore 18:10-22:00 në vend të fshehtë afër Prizren rreth lumit Drini i Bardhë, i pandehuri pa autorizim kultivon bimë “kanabis sativa” si dhe pas kontrollimit të shtëpisë  dhe bastisjes së shtëpisë së tij në kulm është gjetur se i njëjti posedon substanca psikotrope të dyshuar si i llojit “marihuanë” me qëllim të shitjes.

Gjithashtu, me datë 03.10.2021, gjatë një bastisje në shtëpinë e të pandehurit i njëjti mban në pronësi dy (2) pushkë gjuetie dhe 15 fishekë të kalibrit 12 mm., dhe një pistoletë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/