image Gjykata merr vendim për 13 të arrestuarit gjatë operacionit ‘TOTO’ në Prishtinë e Prizren

Siguri

Gjykata merr vendim për 13 të arrestuarit gjatë operacionit ‘TOTO’ në Prishtinë e Prizren

news image

13 personat që u arrestuan në mega-aksionin policor ‘TOTO’ në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit kundër fajdes dhe bixhozit të paligjshëm, kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Gjykatës bëjnë me dije se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për 13 të dyshuarit veç e veç.

Safet, Përparim e Ilirian Kyçyku, Visar Tabaku, Demokrat Kurtaj, Adem Gashi, Armend Danqeli, Hetem Xhekaj, Agim Suka dhe Enis Gunaj dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

E në mesin e të arrestuarve është edhe zyrtari policor, Luan Bytyqi, i cili dyshohet se ka kryer pesë vepra penale: ‘Fajde’, ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’, ‘Sulm’, ‘Detyrim’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda strukturave të sigurisë në vend, kanë bërë me dije se mobilizimi për aksionin ‘TOTO’ ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën menaxhim të Prokurorisë Themelore në Prizren, e të asistuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e cila ka shpërfaqur se regjioni i Prizrenit është përdorur si fole për aktivitetin e fajdes dhe organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/