image 3 mijë e 400 euro gjobë për katër policët e akuzuar për keqtrajtimin e dy qytetarëve

Drejtësi

3 mijë e 400 euro gjobë për katër policët e akuzuar për keqtrajtimin e dy qytetarëve

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 3 mijë e 400 euro gjobë katër zyrtarët policorë, Fatlum Xheladini, Arian Obrazhda, Ardit Qorolli dhe Jeton Ramusholli, të akuzuar për për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fatlum Xheladini dhe Jeton Ramusholli u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditësh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarve iu është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 900 euro (secilit veç e veç).

Kurse, dy të akuzuarit e tjerë Arian Obrazhda dhe Ardit Qorolli u dënuan me nga 800 euro gjobë (secili veç e veç) për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktakuzës më 17 dhjetor 2017, rreth orës 23:30, fillimisht në afërsi të pompës së derivateve “Hib Petrol”, e cila gjendet në rrugën “Reçaku”, në Ferizaj, të akuzuarit kishin ndaluar automjetin e tipit “BMW” të cilin e ngiste Arben Bakija, në të cilin si pasagjer kishte qenë edhe Visar Neziri, raporton Betimi për Drejtësi.

Të njëjtit, thuhet se kishin nxjerrë pasagjerin nga automjeti të cilin e kishin ndaluar, e kishin kontrolluar dhe e kishin vendosur në automjetin zyrtar të policisë, pastaj nga dritarja e kishin nxjerrë edhe Arben Bakiun, (shoferi i veturës BMW) të cilin pastaj e kishin shtrirë në tokë dhe para se ta prangosnin e kishin goditur disa herë me grushte dhe shqelma në trup dhe brinjë, në vazhdimësi edhe pas vendosjes së prangave derisa e kishin dërguar në automjet në të cilin kishin vazhduar ta godasin edhe derisa e kishin dërguar në stacionin policor në Ferizaj.

Ndërsa, Visar Neziri thuhet se derisa kishte qenë në objektet e stacionit policor në Ferizaj ishte goditur aty, fillimisht Jeton Ramusholli ia kishte kapur dy duart nga mbrapa dhe ia kishte ulur kokën, kurse Fatlum Xheladini e kishte goditur me shuplaka, ku përveç shuplakave në fytyrë të cilat kishin qenë 3-4 herë, nga ai kishte pasur edhe goditje në bark, po ashtu edhe me shqelma në dorën e majtë, ku për pasojë të dëmtuarit i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/