image Gjilani pranon 640 doza të AstraZenecas, prioritet për vaksinim do të kenë personat e moshës mbi 70-vjeçare

Shëndetësi

Gjilani pranon 640 doza të AstraZenecas, prioritet për vaksinim do të kenë personat e moshës mbi 70-vjeçare

news image

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Shëndetësisë, sot ka pranuar 640 doza të vaksinës AstraZeneca, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet është grup mosha e personave që janë mbi 70 vjeç, të cilët janë regjistruar, por që nuk janë vaksinuar akoma.

“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65 vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit bëri të ditur se vaksinimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).

Kujtojmë se në fazën e parë në Gjilan janë vaksinuar 1 mijë e 377 qytetarë të moshës mbi 75 vjeç, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë. /Gazeta Sinjali/