image Gjermania kundërshton këtë ligj të SHBA-së

Botë

Gjermania kundërshton këtë ligj të SHBA-së

news image

Gjermania ka kundërshtuar legjislacionin e miratuar nga Shtetet e Bashkuara, që do të vendosë sanksione ndaj kompanive që punojnë në ndërtimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, që ka për qëllim transportin e gazit nga Rusia në Evropë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, duke e shndërruar atë në ligj. Përmes dispozitave të këtij ligji, kompanitë që punojnë në Rrjedhën Veriore 2, do të përballen me sanksionet amerikane apo do t’iu ngrihen astetet, nëse nuk ndërpresin “menjëherë” punën.

Ministri gjerman i Financave, njëherësh zëvendëskancelar, Olaf Scholz tha sot se Berlini “fuqishëm kundërshton” këtë ligj, duke i quajtur sanksionet amerikane “ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Gjermanisë dhe Evropës dhe sovranitetin e tyre”.

Komisioni Evropian tha po ashtu se po shqyrton se si kompanitë e BE-së, të përfshira në ndërtimin e këtij gazsjellësi, do të mund të preken nga legjislacioni i ri amerikan, duke shtuar se Komisioni është kundër sanksionimit të kompanive “që ushtrojnë biznesin e tyre në mënyrë ligjore”.

Projekti Rrjedha Veriore 2, që është në vlerë prej 11 miliardë dollarësh, parashihet që të përfundojë brenda dy javësh dhe analistët janë të ndarë lidhur me atë se nëse vendosja e sanksioneve në këtë fazë, do të ndalojë punimet në këtë projekt.

Më herët gjatë ditës, zyrtarë të Qeverisë gjermane, kanë thënë se pavarësisht se kundërshtojnë sanksionet amerikane, Berlini nuk do t’i vendosë kundërmasa Uashingtonit.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një vizite që i bëri Uashingtonit më herët gjatë këtij muaji, tha se edhe nëse SHBA-ja vendos sanksione, kjo nuk do ta pengojë Moskën që të përfundojë projektin e gazsjellësit./Gazeta Sinjali/