image Gazetari spanjoll sfidon Kurtin me pyetjen për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, ja si përgjigjet ai

Politikë

Gazetari spanjoll sfidon Kurtin me pyetjen për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, ja si përgjigjet ai

news image

Kryeministri Kurti brenda dy ditësh ka dhënë disa intervista në mediume të ndryshme të huaja. Gjatë qëndrimit në Spanjë ka folur edhe për gazetën “El periodico” ku ka shtjelluar raportet në mes të Kosovës dhe Spanjës dhe ka argumentuar se pse s’ka ngjashmëri në mes të Kosovës dhe Katalonisë.

Ndër të tjera në këtë intervistë, gazetari spanjoll ka sfiduar Kurtin me pyetjen për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, gjë për të cilën Kurti ka avokuar me vite.

“A ju kujtohet Albin Kurti i ri, ai i cili avokonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, ka pyetur gazetari spanjoll.

Kurti është shmangur duke thënë se Kosova dhe Shqipëria s’janë dy kombe por dy shtete që flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtën origjinë.

Kur kryeministri Kurti ka thënë këtë, gazetari spanjoll ka insistuar për një shpjegim më të detajuar.

“Nga ajo çfarë na është thënë, ka qenë një shqetësim në Spanjë se pavarësia e Kosovës mund të shërbej si precedent për disa rajone spanjolle që dëshirojnë të shkëputen. Une mendoj se shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, kur e fitoi çmimin Princi i Asturias e kishte dhënë argumentin më të mirë se pse Spanja duhet ta njohë Kosovën”, ka thënë Kurti, duke rikujtuar se NATO në Kosovë kishte ndërhyrë për të ndalur gjenocidin që po kryhej nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, transmeton Gazeta Express.

“Dhe nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë apo ndonjë pjese tjetër të Spanjës, Madridi nuk duhet ta sheh veten e tij si Beogradi”, ka shtuar tutje kryeministri i Kosovës duke numëruar krimet e Serbisë në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka argumentuar tutje pse s’mund të ketë analogji në mes të Kosovës dhe Katalonisë duke numëruar fakte nga e kaluara dhe nga statusi social që kishin kosovarët dhe Kosova në ish-Jugosllavi.

“Pra, nuk e di ku mund të gjesh analogji, ngjashmëri, në Spanjë. Standardi i jetesës në Kosovë ka qenë gjithmonë disa herë më i ulët se në pjesën tjetër të federatës jugosllave. Në vitin 1979, koha kur standardet e jetesës në ish-Jugosllavi ishin më afër njëri-tjetrit, dallimi mes më të pasurve, Sllovenisë, dhe Kosovës ishte shtatë me një. Në të njëjtin shtet socialist! Lëndët e para nxirreshin nga Kosova dhe fabrikat ishin në Serbi dhe pjesë të tjera të Jugosllavisë. Ne ishim minatorët dhe ata financuesit”, ka thënë kryeministri Kurti.

/GazetaSinjali/