Altin Ahmeti, gazetar në Radio Televizionin e Kosovës, është sulmuar mbrëmë fizikisht përderisa po qëndronte në një kafeteri të kryeqytetit. Sulmin fizik e ka bërë të ditur vetë Ahmeti dhe ka thënë se është goditur nga një person që e njeh.
Për të kuptuar më shumë rreth ngjarjes, Gazeta Sinjali ka kontaktuar sot me gazetarin Altin Ahmeti, ai thotë se edhe pse e njeh personin nuk e di arsyen e sulmit.
Sipas tij, u sulmua nga punëtori i Telekomit të Kosovës, Gzim Makolli.
“Pesë persona ishin në vendngjarje dhe e bllokuan vendin, më sulmoi Gzim Makolli, s’kam asnjë problem privat me të”, tha Ahmeti për Gazetën Sinjali.
Ai tha se Gzim Makolli e grushtoi rreth 50-60 herë, edhe pse ky ishte bërë gati për ta përshëndetur.
“Jemi njohur kur hyri në lokal u bëra gati mi folë, ai më sulmoi me grushte. Pesë persona ishin, ata e ruajtën. Më sulmoi me 50-60 grushte në kokë, në tru, unë isha ulur, sulm prapa shpinës”, tha më tej Ahmeti për Gazetën Sinjali.
Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, ndërsa personi i dyshuar ndodhet ende në arrati.
Lidhur me sulmin, ka reaguar menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës.
“Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj lirisë së Kosovës. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e këtij rasti dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.
Rastin e mbrëmshëm e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK përmes një reagimi ka kërkuar nga organet e rendit e të drejtësisë që t’i zbulojnë motivet e këtij akti dhe autorët t’i sjellin para drejtësisë. /Gazeta Sinjali/