image Freedom House: Kosova pjesërisht e lirë

Kosovë

Freedom House: Kosova pjesërisht e lirë

news image

Organizata Freedom House arriti në përfundimin se në vitin 2020 aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm, ndërsa demokracitë më të mëdha përballeshin me problemet e brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në lirinë botërore.

Freedom House nxori raportin vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua. Sipas raportit, Kosova ka rënë për dy pikë, ndërsa Shqipëria për një.

Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik.

“Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një votë diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

“Ishte gjithashtu edhe rënia në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit të partisë Vetëvendosje”, tha Slipowitz.

Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje.

Me gjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport.

Liria në Shtetet e Bashkuara ra me tre pikë dhe në dekadën e fundit ka rënë 11 pikë, një rënie e thellë që tashmë e vendos vendin më pranë shteteve me institucione të dobëta si Rumania dhe Panamaja.

Dëmi më i madh për demokracinë amerikane thotë Repucci, ishin përpjekjet e presidentit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë dhe pretendimet e tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Duke përmendur si shembull ngjarjet e 6 janarit, ekspertët e organizatës Freedom House që kanë matur nivelin e lirisë në botë prej dekadash, thonë se propagandistët në botë përdorin pikërisht këtë argument kundër vendeve demokratike.

“Administrata e Presidentit Biden duhet ta bëjë përparësi konsolidimin e demokracisë, ne duhet të riparojmë dobësitë afatgjata dhe jo të përqendrohemi në zgjidhje afatshkurtra”, thotë Repucci.

Megjithatë studiuesit vënë në dukje se fakti që sistemi gjyqësor funksionoi tregoi forcën e demokracisë.

Freedom House përmend si një nga shqetësimet kryesore rolin e Kinës si në fshehjen përmasave të pandemisë, ashtu edhe në përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në botë.

Me gjithë rënien në nivelin e lirisë, Freedom House arrin në përfundimin se demokracia në shumë pjesë të botës vazhdoi të tregojë aftësinë e saj ripërtëritëse, siç kanë treguar protestat në vende si Malawi, Myanmar dhe Rusi.

/GazetaSinjali/