image Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon përkrahjen për Bankën Qendrore të Kosovës

Financa

Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon përkrahjen për Bankën Qendrore të Kosovës

news image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar Bo Li.

Li konfirmoi zotimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për përkrahje të mëtejme dhe kërkoi që të mirëmbahet dhe ruhet pavarësia e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Mehmeti informoi zëvendësdrejtorin e FMN-së dhe përfaqësuesit e FMN-së për performancën e sektorit financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Ai po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me zhvillimet makroekonomike në vend, si dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë.

Ai shprehu vlerësimin më të lartë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe të BQK-së në veçanti, përmes ofrimit të asistencave teknike dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të institucionit.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori shprehu përkushtimin e BQK-së për të qenë partner i besueshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet.

Li përgëzoi Guvernatorin Mehmeti për ruajtjen e stabilitetit financiar në këtë kohë jo të favorshme ekonomike dhe theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve mbikëqyrëse për fuqizimin e sektorit financiar.

/GazetaSinjali/