image Europarlamentarja nga Katalonja i bën thirrje Spanjës ta njohë Kosovën

Politikë

Europarlamentarja nga Katalonja i bën thirrje Spanjës ta njohë Kosovën

news image

Europarlamentarja Clara Ponsati Obiols, në seancën e sotme plenare të Parlamentit Evropian, ku u diskutua për raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar që Spanja ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Në seancën në të cilën u mbështet liberalizimi i vizave për kosovarët, Ponsati ka thënë se problemi i Spanjës nuk është fare te Kosova, por te Katalonja dhe ruajtja e “unitetit të shenjtë të saj”.

“Për Kosovën, BE-së i duhet të ketë qëndrim unik, por pesë shtete anëtare ende nuk e njohin. Janë katër shtete të rajonit, por Spanja është e pesta. Pse? Cili është problemi i Spanjës me Kosovën. Nuk është për Kosovën. Është për Katalonjën”, ka thënë ajo në fjalimin e saj.

Sipas saj, Spanja vuan nga frika se do t’i rrezikohet “uniteti i shenjtë”. Sipas Ponsatit, Spanjës më shumë i intereson uniteti i saj se demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Ajo ia ka kujtuar Spanjës se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka mohuar ankesën e Serbisë se Kosova ka shkelur sovranitetin e saj.

“Është koha për të ecur përpara. Është koha që Spanja ta njohë Kosovën dhe ta lërë Katalonjën të vendosë për të ardhmen e vet”, ka përfunduar fjalimin e saj.

Vetëm pak javë më herët pati “provokime” nga ana e Spanjës drejtuar Kosovës. Ky shtet iu referua Kosovës vetëm si territor, para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në futboll. Federata e Kosovës kërcënoi se do të ndërpresë ndeshjen nëse nuk paraqitet me himnin e simbolet shtetërore. /Gazeta Sinjali/