image Escobar për situatën në veri: Është në dorën e të dyja palëve që të mos dërgojnë Forca Speciale

Politikë

Escobar për situatën në veri: Është në dorën e të dyja palëve që të mos dërgojnë Forca Speciale

news image

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar thotë se përparësia kryesore në këtë detyrë do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

I pyetur për situatën në Veri, ai është përgjigjur se nuk duhet të ketë qasje ushtarake në këtë çështje.

“Më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme.”

Ndërsa sa i përket  çështjes së dialogut, ai tha se “ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim.”

Escobar mendon se nuk është koha për një qasje të re të dialogut, që sipas tij duhet të mbështetet nga BE-ja.

“Jo qasje, mendoj se është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun. Dialogu ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Do të thoja se, me gjithë respektin për kolegët tanë evropianë, njerëzit në rajon, nuk janë gjithmonë të bindur se Evropa i pranon ata. Pra Evropa duhet t’u japë atyre një mesazh, se këto vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Por përpjekja ka të bëjë me të gjithë rajonin. Ajo përfshin Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë për popujt e këtyre vendeve, se ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.”

Në lidhje me mosnjohjen e Kosovës nga disa vende të Bashkimit Evropian, ai ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Mendoj se në fund, nëse arrihet përparim në Bashkimin Evropian, në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga këto pesë vende do të ndodhë. Nuk është se këto pesë vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm“, tha ai për VOA.

Tutje ai shpreson se Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë administratës së Presidentit Biden.

“Shpresoj të jetë kështu, pasi ne duhet të ecim përpara me çështje e tjera, siç është ajo e statusit të vendit kandidat dhe integrimi ekonomik për të gjithë rajonin.”

/GazetaSinjali/