image Erdhën nga Shkupi për të shitur 'dukat' fals, bien në pranga të Policisë mashtruesit e 61-vjeçarit nga Vitia

Siguri

Erdhën nga Shkupi për të shitur ‘dukat’ fals, bien në pranga të Policisë mashtruesit e 61-vjeçarit nga Vitia

news image

Qytetarët e Kosovës janë ‘merakli’ të metalit të çmuar, përfshirë edhe arin, produkt ky që blihet me të madhe gjithandej vendit. Por nuk janë të rralla rastet e shitjes së arit të falsifikuar, ku shumë kosovarë bien pre e mashtrimit nga persona e lokale të ndryshme. Për një rast të tillë së fundmi ka nisur hetimet Policia Rajonale e Gjilanit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se rasti ka ndodhur sot, në orët e mëngjesit, në Viti, ku një 61-vjeçar ka rënë pre e mashtrimit nga dy persona, të cilët i shitën një sasi të arit fals, në vlerë të gati 1500 eurove.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga raportimi i rastit, për të cilin po dyshohen dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Gjithçka u zbulua pasi Policia nisi mbledhjen e provave për t’i identifikuar të dyshuarit që mashtruan 61-vjeçarin me dukat fals. Sinjali mëson se është bërë shikimi i kamerave të sigurisë, me ç’rast në momentin që ka ndodhur ngjarja është kuptuar se të dyshuarit janë larguar me një veturë me targa të Shkupit.

Kjo u bë ‘sebep’ që Policia pas një kohe të shkurtër t’i kap të dyshuarit, të cilët u shpallën në kërkim dhe u njoftuan pikat kufitare.

Sinjali mëson se dy shtetasit e Maqedonisë u ndaluan nga Policia Kufitare në Han të Elezit dhe u arrestuan si të dyshuar për mashtrim.

Rruga me paratë që shitën mall të falsifikuar iu ndalë në gjysmë dhe të njëjtit u ‘rikthyen’ në Kosovë, por këtë herë në stacion policor, ku pas intervistimit, u ndaluan për 48 orë.

/GazetaSinjali/