Ter persona janë arrestuar në Gjakovë pasi dyshohen për tentim vrasjen e dy të rinjëve, që kishte ndodh më 20 janar të këtij viti, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali të arrestuar kanë mbetur: Enrik Berisha (1998), Simon Tahiri (1999) dhe Bellmando Pali (2005).
Si ndodhi rasti?
Më 20 janar 2025, pasdite, afër lokalit “Kids Center” në rrugën “Beqir Kastrati”, dy të rinj, viktima të rastit: Ismajl Kasumaj i lindur më 2006 dhe Binak Kabashaj i lindur më 2004, u sulmuan me armë zjarri nga një veturë në lëvizje.
Të dy viktimat ndodheshin në veturën e tyre Audi A6 kur u qëlluan nga autorët, të cilët më pas u larguan në drejtim të panjohur.
Fatmirësisht, viktimat nuk pësuan lëndime trupore dhe arritën të paraqiten në Stacionin Policor. Në vendin e ngjarjes, njësitet policore gjetën gëzhoja të armës së zjarrit, ndërsa vetura e dyshuar u zbulua e braktisur në sheshin “Agron Rama”.
Pas nisjes së hetimeve, u identifikuan tre të dyshuarit: Enrik Berisha, Simon Tahiri dhe Bellmando Pali.
Fillimisht, njëri nga ta u arrestua dhe u ndalua me urdhër të prokurorit, ndërsa dy të tjerët u lokalizuan dhe u arrestuan më 22 shkurt në Fushë Kosovë.
Gazeta Sinjali raportoi se sot për rastin janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.
Aksioni ka vazhduar edhe tutje, duke u kryer kontrolle në shtëpitë e të dyshuarve.
Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë si dhe një peshore digjitale.
Ndryshe, paralelisht me arrestimin e tre personave, në kuadër të këtij rasti janë shoqëruar në hapësirat e Policisë disa zyrtarë policorë për intervistim, për të sqaruar rolin e tyre të mundshëm apo lidhjet me personat e arrestuar.
Më pas ata janë suspenduar pas rekomandimit të IPK-së.
Burime të sigurta të redaksisë zbulojnë emrat e të suspenduarve: Detjion Hasani, Rozana Nokaj, Altin Azemi.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, këta zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Hetimi është iniciuar nga IPK dhe përfshin shqyrtimin e veprimeve të tyre në raste të ndjeshme që lidhen me zbatimin e ligjit në terren.
Lexo edhe:
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.