image Ekskluzive | U ndal për kundërvajtje në trafik, dyshohet se sulmoi policët me kokë dhe bllok betoni në Deçan

Siguri

Ekskluzive | U ndal për kundërvajtje në trafik, dyshohet se sulmoi policët me kokë dhe bllok betoni në Deçan

news image

Një kontroll i zakonshëm i trafikut në fshatin Baballoq të Deçanit ka përfunduar me përleshje mes një drejtuesi automjeti dhe zyrtarëve policorë, ku dy policë kanë mbetur të lënduar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026, rreth orës 16:00, kur patrulla e Trafikut Rajonal të Pejës kishte ndaluar një automjet për një kundërvajtje në komunikacion.

Burimet bëjnë të ditur se pas pranimit të tiketës për kundërvajtje, Azem Ukaj dyshohet se ka filluar me fyerje dhe kërcënime ndaj zyrtarëve policorë.

Për shkak të sjelljes së tij dhe kërcënimeve të vazhdueshme, policët kanë tentuar ta arrestojnë, por i dyshuari dyshohet se ka kundërshtuar arrestimin dhe ka rezistuar aktivisht.

Sipas informacioneve nga hetimi, gjatë përleshjes ai ka tentuar t’i godasë zyrtarët policorë me kokë dhe më pas edhe me një copë betoni, duke vështirësuar arrestimin e tij.

Për ta vënë situatën nën kontroll, njëri nga zyrtarët policorë ka përdorur sprej dhe pranga, duke arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Stacionit Policor në Deçan dhe Njësia Rajonale e Hetimeve, të cilët, në konsultim me Prokurorin kujdestar, kanë iniciuar rastin për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Megjithatë, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/