Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka zhvilluar sot një aksion policor në Prishtinë dhe Mitrovicë, pas veprimeve hetimore disamujore, që rezultoi me katër persona të arrestuar. Grupi i dyshuar kanë përfituar kundërligjshëm duke keqpërdorur kartela bankare, raporton Gazeta Sinjali.
Tre prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër i moshës së mitur është liruar.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të arrestuarit janë Shaban Krasniqi, Bashkim Musliu, Festim Shosholli dhe N.K.
Sipas dosjes, të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë përdorur kartelat bankare e shtetasve të ndryshëm pa autorizim, duke bërë transaksione, si dhe blerje të gjësendeve të ndryshme (përmes platformave online).
Të dyshuarit fillimisht përmes formave të ndryshme kanë arritur të sigurojnë të dhëna elektronike të kartelave bankare, duke përdorur pajisje dhe programe specifike kompjuterike dhe më pas kanë bërë edhe klonimin e kartelave bankare.
Gjatë operacionit policor, PK ka njoftuar se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
- dy kompjuterë,
- rreth 10,000.00 (dhjetëmijë) euro në valuta të ndryshme,
- tetë telefona mobilë,
- tri vetura,
- një motoçikletë,
- pajisje për klonim të kartelave bankare,
- kartela të zbrazëta për qëllim të klonimit, si dhe dokumente relevante që ndërlidhen me veprën penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.