image Ekskluzive | Refuzoi urdhrin e Policisë dhe sulmoi zyrtarin policor në Klinë, arrestohet 38-vjeçari

Siguri

Ekskluzive | Refuzoi urdhrin e Policisë dhe sulmoi zyrtarin policor në Klinë, arrestohet 38-vjeçari

news image

Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit në Klinë, pasi dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor gjatë një aksioni për mbylljen e lokaleve pas përfundimit të aktiviteteve të festivalit folklorik “I Këndojmë Lirisë”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 9 qershor 2026, rreth orës 01:40, në rrugën “Abedin Rexha”, ku zyrtarët policorë të angazhuar me plan operativ po zbatonin masat për shpërndarjen e qytetarëve dhe zbrazjen e lokaleve pas përfundimit të programit festiv.

Sipas informacioneve të siguruara, policët kishin shkuar edhe në lokalin “Inbox”, ku shumica e të pranishmëve ishin larguar, përveç Driton Jahës, i cili dyshohet se kishte refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u larguar nga lokali.

Burimet bëjnë me dije se i dyshuari fillimisht kishte provokuar zyrtarët policorë me sjelljet e tij, ndërsa gjatë largimit nga lokali dyshohet se e ka shtyrë me dorë në gjoks njërin prej policëve dhe ka vazhduar me fjalë kërcënuese.

Pas incidentit kanë ndërhyrë zyrtarët e tjerë policorë, të cilët kanë bërë arrestimin e tij. Sipas Policisë, i dyshuari ka rezistuar vazhdimisht deri në momentin e prangosjes.

Pas shoqërimit në stacion policor, atij i është bërë testi i alkoolit, ku ka rezultuar me 0.72 promilë alkool në gjak.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

I dyshuari është mbajtur në stacion policor deri në kalimin e gjendjes së dehjes, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/