Një operacion i befasishëm policor është zhvilluar sot në orët e pasdites në fshatin Baballoq të Deçanit, ku Policia ka bastisur një lokacion dhe ka konfiskuar katër armë zjarri. Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se njëra nga armët ishte me leje, por dyshohet se është keqpërdorur nga pronari, i cili e kishte dhënë atë në duart e një personi tjetër pa asnjë autorizim.
Burime nga fshati konfirmojnë për Sinjalin se pjesëtarët e Policisë janë parë duke kontrolluar një shtëpi dhe më pas duke i shoqëruar disa persona të dyshimtë në stacionin policor të Deçanit. Banorët lokalë thonë se operacioni ka zgjatur për disa orë dhe është zhvilluar me prezencë të shtuar të njësiteve policore.
Dyshohet se incidenti lidhet me mosrespektimin e ligjit mbi armëmbajtjen, konkretisht me lejimin e përdorimit të armës nga persona të paautorizuar – veprim që përbën vepër penale dhe trajtohet me seriozitet nga organet e rendit.
Policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar, ndërsa Sinjali do të publikojë të gjitha detajet sapo të konfirmohen nga hetimi zyrtar.
Deri atëherë, mbetet shqetësues fakti që armët me leje vazhdojnë të qarkullojnë jashtë kontrollit të ligjit, pikërisht nga ata që duhet të jenë model në respektimin e tij.