Jo rrallëherë ndodhin raste të mosmarrëveshjeve që përfundojnë në përleshje fizike në rrugë në vendin tonë. Një rast i tillë ka ndodhur pasditen e sotme në sheshin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku një mosmarrëveshje mes disa të rinjve ka përfunduar me përleshje fizike dhe përdorim të mjeteve të rrezikshme.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për Sinjalin se në përleshje janë përfshirë katër persona: A.Z., rreth 17-vjeçar, Armend Zeqiri, rreth 21 vjeçar, Luard Zeqiri, rreth 23-vjeçar dhe Luan Zeqiri, rreth 20-vjeçar.
Sipas dëshmive, konflikti kishte nisur një javë më parë për shkak të një postimi në rrjetin social Facebook, dhe sot ka kulmuar me përplasje fizike.
Dy nga të dyshuarit, Luard dhe Luan Zeqiri, deklaruan se A.Z. kishte nxjerrë nga xhepi një thikë dhe një sprej të llojit OC “Nato”, duke tentuar t’i sulmonte, por sipas tyre, nuk kishte arritur t’i godiste.
Nga i mituri A.Z. janë konfiskuar mjetet e mprehta dhe spreji si prova materiale. Tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt pasi rasti ndaj tyre është kualifikuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Ndërkaq, i mituri A.Z. po përballet me veprat penale “Sulm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”. Ai është intervistuar në prani të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës, dhe më pas është dërguar në ndalim për 24 orë.
Rasti mbetet nën hetime për sqarimin e plotë të rrethanave.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!