Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze dhe sulme gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke ua vështirësuar punën dhe kanosur jetën. Kështu ndodhi mbrëmë pas mesnate në Prishtinë, ku Policia u përballë me një veturë që shpërfilli totalisht urdhrat dhe goditi një zyrtar policor dhe veturën zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.
Ballafaqimi i Policisë me të dyshuarit nisi në lagjen Qëndresa për të vazhduar me ndjekjen e tyre rrugës për në Veternik e më pas duke përfunduar te hyrja e spitalit.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se automjeti i dyshuar, në të cilin ndodhen katër persona me qëllim shmangin nga Policia nuk janë ndalur pas sinjalizimit dhe në pamundësi për të vazhduar tutje, është goditur një polic dhe vetura e Policisë.
Polici ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor në spital, ndërsa kolegët e tij kanë vazhduar me ndjekjen e të dyshuarve.
Bazuar në informacionet e para, përveç shpërfilljes së Policisë, vetura e dyshuar edhe ka shkelur rregullat duke lëvizur në kahjen e kundërt të rrugës për Veternik dhe për pasojë kanë rrezikuar pjesëmarrësit në trafik.
Në pamundësi për të shpëtuar nga Policia me veturë, të dyshuarit kanë dalë nga automjeti te oborri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe kanë ikur në këmbë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se Policia ka arritur të kap vetëm shoferin e veturës, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë arratisur.
I dyshuari që u kap është shoqëruar në stacion policor, ndërsa vetura e tyre është sekuestruar nga Policia.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarve të tjerë.