Mbi 30 mijë euro para të gatshme janë zbuluar gjatë një kontrolli të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Doganës në Pikën Kufitare të Bërnjakut, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve, më 8 qershor 2026, rreth orës 14:40, në dalje të Kosovës është ndaluar për kontroll një veturë BMW 318D me targa të Serbisë, e drejtuar nga Nedzat Mujkovic nga Novi Pazari, në të cilën udhëtonte edhe Dzevat Mujkovic.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën personale të pasagjerit janë gjetur mijëra euro dhe dinarë serbë, të cilat nuk ishin deklaruar paraprakisht tek autoritetet kufitare.
Sipas përllogaritjeve zyrtare, shuma e gjetur arrin në 25.515 euro dhe rreth 4.813 euro të tjera në kundërvlerë të dinarëve serbë, duke e çuar vlerën totale në afërsisht 30.328 euro.
Burimet bëjnë të ditur se për shkak se rasti lidhet me mosdeklarimin e mjeteve monetare, procedurat e mëtejshme janë marrë në trajtim nga Dogana e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Rasti është duke u trajtuar për veprime të mëtejshme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.