Konflikti për borxh mes dy të rinjve eskaloi ditën e djeshme në përdorim të armës në lagjen Qëndresa në Prishtinë. I dyshuari për rastin e ka sulmuar viktimën dhe ka shtënë me armë zjarri, çka i kushtoi me arrestim dhe ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar Policia Rajonale në Prishtinë, ndërsa Sinjali ka mësuar detaje të reja.
Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali i dyshuari për rastin është Erblin Krasniqi, 28-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, Krasniqi i ka shkuar viktimës te shtëpia në lagjen Qëndresa për shkak të një borxhi prej 50 euro që dyshohet se viktima i kishte marrë hua nga ai.
Mosmarrëveshja momentale dyshohet se eskaloi në dhunë, ku i dyshuari e ka goditur me grusht viktimën e më pas ka shkrepur armën disa herë në tokë.
Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar gëzhojat.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku edhe është intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.