image Ekskluzive: Këta janë të dyshuarit që u arrestuan në Baballoq – njëri me armë me leje, tjetri duke e keqpërdorur

Ekskluzive

Ekskluzive: Këta janë të dyshuarit që u arrestuan në Baballoq – njëri me armë me leje, tjetri duke e keqpërdorur

news image

Një aksion i zhvilluar sot nga sektori i hetimeve të Stacionit Policor në Deçan ka rezultuar me sekuestrimin e armëve dhe municionit në një rast që ngre pikëpyetje serioze për keqpërdorimin e lejeve të armëmbajtjes. Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se dy persona janë vënë nën hetim, për shkak të posedimit dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.

Të dyshuarit në këtë rast janë Beslim Beqiraj, 45 vjeçar dhe Lumturim Beqiraj, 24 vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, pas sigurimit të informacioneve operative dhe pamjeve ku njëri nga të dyshuarit shihej me armë, Policia ka ndërhyrë në fshatin Baballoq të Deçanit dhe ka bastisur shtëpinë e tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri të llojit “Tanfoglio”, municion dhe mjete të tjera.

Hetimet fillestare kanë nxjerrë në pah se arma ishte në pronësi të Lumturim Beqirajt, i cili e kishte me leje të rregullt të lëshuar nga MPB. Megjithatë, ai dyshohet se e ka keqpërdorur lejen, duke e dhënë armën për përdorim personit tjetër – veprim ky në kundërshtim të plotë me kushtet ligjore për posedim të armëve me leje.

Veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë kompetente, ndërsa pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është nën hetim dhe priten masa të mëtejshme varësisht nga zhvillimet hetimore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/