Rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, qoftë në uniformë apo edhe jashtë detyrës zyrtare nuk janë të rralla. Një incident i tillë ndodhi edhe mbrëmë në një lokal në Shtime, ku ishte organizuar një ndejë për festën e 28 Nëntorit dhe u sulmua brutalisht një polic. Katër persona po dyshohet të jenë përfshirë dhe të njëjtit tashmë po kërkohen, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi se se rrahja ka ndodhur në restorantin ‘Matta Lounge Bar’, ku polici në fjalë (emër i njohur për redaksinë), jashtë detyrës zyrtare, kishte shkuar me një person tjetër për të festuar.
Grupi i dyshuar prej katër personash po dyshohet se ia kanë zënë pritën zyrtarit policor, të cilin e ka sulmuar posa ka shkuar në tualet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat e dyshuar janë Qëndrim Arifi, Lavdon Arifi, Florent Arifi dhe Genc Zeqiri.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, të dyshuarit e kanë goditur policin me mjet të fortë dhe e kanë grushtuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Për të mos mbaruar me kaq, zyrtari policor edhe është kërcënuar e më pas ia kanë rrahur shokun që ishte me të.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe janë identifikuar personat e dyshuar, të cilët ndodhen në arrati.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi në drejtim të veprave penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Lëndim trupor” dhe “Kanosje”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.