image Ekskluzive: Këta janë dy të rinjtë që u përleshën mes vete në Prizren, 21-vjeçari dyshohet për vrasje në tentativë

Siguri

Ekskluzive: Këta janë dy të rinjtë që u përleshën mes vete në Prizren, 21-vjeçari dyshohet për vrasje në tentativë

news image

Një përleshje mes dy të rinjve ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Rrustë Kabashi’ në qytetin e Prizrenit, ku si pasojë e therjes së shumëfishtë me thikë, mbeti i plagosur rëndë një 20-vjeçar. Ai u gjet në gjendje të rëndë në një veturë nga shokët e tij të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal në Prizren, ndërsa i dyshuari tjetër që u përfshi në rrahje, ishte arratisur nga vendi i ngjarjes. Por ai u kap pak më vonë nga njësitet policore, të cilët e shoqëruan në stacion për intervistim, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se dy të rinjtë të përfshirë në përleshje janë Eni Bytyqi 20-vjeçar dhe Virtyt  Zogaj 21-vjeçar.

Zogaj u arrestua nga Policia dhe iu nënshtrua tretmanit mjekësor pasi që edhe vetë kishte pësuar lëndime si pasojë e përleshjes me Bytyqin, i cili u transferua për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Zogaj ka rrëfyer në Polici se gjithçka ka ndodhur për shkak të një ngatërrese të mëhershme , me ç’rast dy të rinjtë fillimisht vetëm ishin fjalosur e që më pas kishte eskaluar situata në përdorim të mjeteve të forta si thika si dhe armëve të zjarrit.

Sipas Zogajt, ka qenë Bytyqi ai i cili fillimisht ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij dhe si rrjedhojë deklaron se në vetëmbrojtje e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore.

Virtyt Zogaj

I dyshuari tjetër, Eni Bytyqi, nuk është intervistuar ende nga hetuesit policorë, për shkak se siç mëson Sinjali nga burimet brenda Emergjencës, gjendja e tij shëndetësore e është e rëndë dhe po vazhdon të trajtohet në QKUK.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47 dhe një gëzhojë, teksa Sinjali mëson se po vazhdojnë kërkimet edhe për armën e ftohtë, me të cilën dyshohet se u ther 20-vjeçari, Eni Bytyqi.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se dy të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Virtyt Zogaj do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’, ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’. Ndërsa Eni Bytyqi do të hetohet për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/