Siguria në Kosovë po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet. Ky fenomen mjaft shqetësues, po shkakton pasiguri e humbje të mëdha. Hajnat, herë të vetëm e herë në grup arrijnë të bëjnë kërdi në biznese, shtëpi, zyra e lokale të ndryshme gjithandej vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një furrë në fshatin Shkabaj të Prishtinës, Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët arritën të vjedhin një arkë të bamirësisë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Arlind Ramadani, rreth 24-vjeçar dhe B.H., i mitur.
Ata dyshohen se janë futur në furrën “Kosovarja” dhe kanë marrë arkën e mbushur me para, e më pas janë arratisur me veturën e tyre.
Por, si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe ka arritur t’i ndalë në fshatin Bardhosh, ku janë gjetur një maskë, një mjet i mprehtë dhe arka me para.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.