image Ekskluzive: Këta janë dy menaxherët e Elkosit që u arrestuan për 36 mijë kg mish me afat të skaduar

Siguri

Ekskluzive: Këta janë dy menaxherët e Elkosit që u arrestuan për 36 mijë kg mish me afat të skaduar

news image

Dy persona ranë në prangat e Policisë pas konfiskimit  të mbi 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar në një depo të kompanisë Elkos në Zahaq të Pejës. Menaxheri kryesor i pesë njësive të biznesit u dërgua në ndalim, ndërsa zëvendës menaxheri i depos është liruar.

Burimet e Sinjalit bënë të ditur se të dyshuarit që u arrestuan nga Policia janë Argjend Husa, menaxheri kryesor i 5 njësive dhe Arianit Avdyli.

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale: ‘prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor’.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar pronarin e Elkosit, Ramiz Kelmendi, i cili tha se mishi është kapur në frigoriferët e kompanisë.

Sipas tij, punëtorët kanë hezituar ta deklarojnë mishin me afat të skaduar, për të cilin thotë se nuk është i prishur.

“Nuk jonë në ETC, mishi ka qenë i deklaruar për asgjësim dhe në bazë të asaj që kam parë edhe unë i përgëzoj AVUK dhe Policinë që e kanë mundëso me e hudh diçka që punëtorët kanë hezitu si duket me deklaru, për shkak se e kanë bo gabimin e  mosrespektimit të afateve si malli që ka hy i pari dhe ka dalë. Nuk ka qenë produkt për ETC.  Si ka qenë puna atje nuk e di, për arsye se nuk nuk hi nëpër frigorifera, s’jom kanë që 1 vjet. Është përgjegjësi për atë punë. Pa marrë parasysh dëmi i takon firmës. Sikur ni jogurt i del afati, e kqyr që i ka dalë afati po nuk u prish.

Çdo gjë me afat të skaduar, nuk është produkt i prishur. Çdo produkt që ka qenë me afat të skaduar ka qenë i deklaruar se është me afat të skaduar. Policia dhe Inspekcioni e kanë gjetur. Mishi është gjetur në frigoriferin qendror të Elkosit. Policia e ka kry punën e vet. Ka pasë ndalesa”, tha Kelmendi për Sinjalin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/