Lojërat e fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, por shteti po vazhdon të sfidohet nga grupe kriminale që ushtrojnë këtë veprimtari ilegale. Bixhozi i paligjshëm siç duket po lulëzon edhe në Prizren dhe një rast i tillë u zbulua mbrëmë, ku pas një aksioni policor u arrestuan 18 persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Grupi i dyshuar u kap në flagrancë në një lokal në rrugën ‘2 Korriku’ nga patrullat e stacionit policor në Prizren që zbarkuan dhe arritën t’i arrestojnë të dyshuarit. Përveç tyre, në pranga të Policisë ka rënë edhe pronari i lokalit dhe ndaj tyre tashmë është urdhëruar masa e ndalimit policor.
Sinjali publikoi ekskluzivisht emrat e 18 të arrestuarve, shumica prej të cilëve kanë të kaluar kriminale.
Të arrestuar për shitblerje të drogës, fajde, armë ilegale, vjedhje e po ashtu edhe për bixhoz, të dyshuarit jo rrallëherë kanë përfunduar në qeli.
Për plot nga rastet në të cilat janë përfshirë, Sinjali ka raportuar në vazhdimësi.
Gazmend Domgjoni ishte arrestuar në janar të këtij viti, pasi u kap me drogë të llojit kokainë. Ai ka dosje me plot vepra penale dhe njihet si person “i rrezikshëm” në rajonin e Prizrenit.
Një i dyshuar tjetër që u arrestua mbrëmë dhe po ashtu është emër i njohur për organet e rendit është Gegë Lleshaj.
Ndaj tij dhe disa personave të tjerë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për përfshirje në veprimtarinë e fajdes. Për Lleshajn, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse i dyshuari Akcan Haskuka ishte arrestuar vitin 2022 pikërisht për bixhoz të paligjshëm, pasi u kap me 11 të tjerë në një lokal në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.