image Ekskluzive: Dyshohet për vjedhje të planifikuar në një garazh banimi në Prishtinë – “Zhduken” dy palë goma brenda pak minutash

Ekskluzive

Ekskluzive: Dyshohet për vjedhje të planifikuar në një garazh banimi në Prishtinë – “Zhduken” dy palë goma brenda pak minutash

news image

Një rast i pazakontë vjedhjeje është raportuar të mërkurën në një kompleks banimi në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, ku dy qytetarë kanë lajmëruar Policinë për zhdukjen e katër gomave rezervë secilit nga garazhi i përbashkët i objektit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një nga palët, një qytetare që tashmë është e njohur për redaksinë, ka deklaruar se më 29 prill 2025, rreth orës 14:00, është njoftuar nga menaxhmenti i lokalit “Sensis” se gomat e saj që ishin të vendosura në garazh ishin zhdukur.

Ngjashëm, edhe një banor tjetër i objektit, E.M., ka raportuar rastin, duke treguar se pas kthimit në banesë rreth orës 13:30, ka vërejtur se edhe gomat e tij rezervë ishin marrë.

Të dyja palët kanë deklaruar se dyert automatike të garazhit ishin harruar të hapura, dhe dyshohet se dikush ka shfrytëzuar momentin për të kryer vjedhjen.

Pamjet nga kamerat e sigurisë sipas banorëve që në kushte anonimiteti folën për Sinjalin, tregojnë se të gjitha veturat që kanë hyrë në atë periudhë i përkisnin banorëve, përveç një pikapi të bardhë me targa 01-808, i cili ka hyrë brenda për vetëm tre minuta dhe më pas është larguar menjëherë.

Sipas dëshmisë së ankuesve, dëmi i shkaktuar arrin vlerën prej rreth 800 euro.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, e cila ka udhëzuar që të inicohet procedura penale për veprën “Vjedhje”.

Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e drejtuesit të mjetit të dyshuar.

Gazeta Sinjali do të sjellë të tjera detaje rreth këtij rasti sapo të ketë zhvillime të reja.

/GazetaSinjali/