Një kërcënim i rëndë është bërë përmes një rruge jo të zakonshme – përmes avokatit personal. Burime të sigurta të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një qytetar ka raportuar një kanosje serioze për jetën e tij, e bërë jo drejtpërdrejt, por përmes përfaqësuesit ligjor të të dyshuarit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë dhe viktima, një burrë 38-vjeçar, është paraqitur në Stacionin Policor Veriu më 19 prill, ku ka deklaruar se është kërcënuar me fjalët:
“Do ta plagos me armë zjarri”.
Por ajo që e bën edhe më të pazakontë rastin është se kërcënimi, sipas tij, është përcjellë përmes avokatit A.B., i cili është intervistuar nga hetuesit më 23 prill në cilësinë e dëshmitarit. Ai ka konfirmuar se i dyshuari i kishte bërë deklaratën kërcënuese ndaj viktimës.
Pas grumbullimit të provave dhe deklaratave, Policia ka iniciuar rastin “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe dërguar në mbajtje, me urdhër të prokurorit të rastit.