Pas një akti të rëndë kriminal që tronditi pronarin e një biznesi në Prishtinë, është vënë në pranga nën dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme një person, njoftojnë burimet e Sinjalit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 prillit 2025, rreth orës 20:00, në rrugën “Lidhja e Pejës”, përgjatë rrugës nacionale Prishtinë – Fushë Kosovë, ku sipas denoncimit të Gani Balajt, lokalit të tij “Water Boutique” i ishte vënë zjarr nga persona të panjohur.
Fatmirësisht, në ngjarje nuk pati të lënduar, por dëmi material që i është shkaktuar biznesit vlerësohet të jetë rreth 20 mijë euro.
Pas hetimeve intensive nga njësitet përkatëse, sot më 23 prill është arritur të identifikohet dhe lokalizohet i dyshuari, i cili është shoqëruar për intervistim. Pas marrjes në pyetje dhe në koordinim me Prokurorinë, është ndaluar me vendim zyrtar dhe dërguar në qendrën e mbajtjes.
Sinjali do të vazhdojë të ndjekë këtë rast që ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin e biznesit lokal dhe po hetohet si “Zjarrvënie e qëllimshme” me pasoja të mëdha ekonomike.