image Ekskluzive: Arrestohet i riu me të kaluar kriminale për gjuajtjen mes grupeve në Prishtinë, kapet i armatosur

Siguri

Ekskluzive: Arrestohet i riu me të kaluar kriminale për gjuajtjen mes grupeve në Prishtinë, kapet i armatosur

news image

Pas rreth një viti nga incidenti me të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, është arrestuar njëri nga personat e dyshuar, qe ishte shpallur në kërkim. I riu u kap në flagrancë në shtëpinë e tij, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia të enjten në lagjen Arbëria, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Zan Zeka, 23-vjeçar, ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Gjatë aksionit për arrestimin e tij, Policia ka sekuestruar një armë zjarri të cilën i dyshuari në përpjekje për ta fshehur, e kishte hedhur në oborrin e një shtëpie.

Zeka dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë” – rast ky që ka ndodhur më 11 janar të këtij viti, ku një person mbeti i plagosur.

Ai edhe të dyshuarit e tjerë, Veton Gashi, Lirigzon Sejdiu dhe Trim Krasniqi janë përfshirë në këtë konflikt ku pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u qëllua i dyshuari Gashi – i njohur si Canki.

Siç kishte raportuar Sinjali, Gashi e Sejdiu kanë qenë në njërën anë dhe Krasniqi e Zeka në anën tjetër, ku dyshohet se kanë shkrepur armët mbi 10 herë.

‘Canki’ ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe më pas është ndaluar bashkë me mikun e tij, Lirigzon Sejdiu, që po ashtu ishte arrestuar natën kritike.

Kurse dy të dyshuarit e tjerë ishin larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre, të cilin e kishin braktisur rrugës për t’ia mbathur në këmbë.

Ndryshe, ‘Canki‘, Krasniqi e Zeka janë emra të njohur për organet e rendit, si pasojë e të kaluarës së tyre kriminale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/