Një rast i tentim-vrasjes është raportuar të ketë ndodhur dje gjatë mesditës, në rrugën “Brigada 173” në Viti, ku një person është sulmuar me thikë dhe ka pësuar lëndime serioze trupore, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari në lidhje me këtë rast është Nikolin Marku rreth 22-vjeçar), i cili pas një mosmarrëveshjeje, e ka sulmuar me thikë viktimën (rreth 25-vjeçar), duke i shkaktuar plagë të rënda.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe krim-teknikët për të bërë ekzaminimet e nevojshme.
Viktima, për shkak të natyrës së rëndë të plagëve, është transferuar për trajtim urgjent në QKUK në Prishtinë.
I dyshuari është larguar nga vendngjarja dhe ndodhet në arrati.
Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka autorizuar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë”.
Ndërkaq, rasti është dërguar për hetime të mëtutjeshme në Sektorin Rajonal të Hetimeve.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.