image Edhe Avokati i Veselit kritikon ashpër Prokurorinë Speciale: Nuk po punon zellshëm

Drejtësi

Edhe Avokati i Veselit kritikon ashpër Prokurorinë Speciale: Nuk po punon zellshëm

news image

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Nick Kaufman, ka kritikuar punën e Zyrës së Prokurorit Special pranë Dhomave të Specializuara, rreth dorëzimit të materialeve.

Në seancën që po mbahet tani, Kaufman tha se prokuroria nuk po punon aspak zellshëm, shkruan Gazeta Sinjali.

“Nuk është një mënyrë e zellshme e punës së prokurorisë. Nëse nuk është gjykatësi për t’iu kërkuar dorëzimin, ata vetë nuk bëjnë asgjë”, tha ai.

“Nuk është kjo një mënyrë e zellshme e kryerjes së punës nga ZPS, kjo është mënyrë nga paniku. Zonja Losson paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente, por s’e ka përmendur faktin që këto i ka dërguar më 30 qershor. Unë them që kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në në kohë. Ndryshimet e afateve nuk janë të drejta“, deklaroi Kaufman.

Gjithashtu ai tha se ZPS duhet të sqarojë që masat mbrojtëse të propozuara më 3 korrik janë në kundërshtim me rregullat.

Ndërkaq, Kaufman bëri kërkesë që t’i bëhet e qartë prokurorisë, se nëse materialet vonohen, ato nuk do të pranohen më vonë.

“Ju kërkojmë që t’ua bëni të qartë prokurorisë që nëse ata i shkelin afatet, materialet që i dorëzojnë më vonë, nuk do të pranohen. Ata po flasin për kërkesa të ndryshimeve të masave, çfarë janë këto, sa janë këto kërkesa, kur janë bërë? Kjo mënyrë e paqartë e kërkesave nuk është mënyra e duhur”, tha ai.

Prokurorja në fjalën e saj ka përmendur sot mundësinë edhe për një afat shtesë për dorëzimin e materialeve./Gazeta Sinjali/