image E rëndë në Gjilan: I mituri goditet me shufër metalike nga bashkëmoshatari, shkak mosmarrëveshjet në rrjete sociale

Siguri

E rëndë në Gjilan: I mituri goditet me shufër metalike nga bashkëmoshatari, shkak mosmarrëveshjet në rrjete sociale

news image

Përleshjet mes të rinjve ndodhin për arsye të ndryshme, e zakonisht shkak për këtë bëhen edhe zënkat që fillojnë në rrjete sociale. E përpos grushteve, ata ndodh të përdorin edhe mjete të forta duke bërë kështu që shpesh të përfundojnë në spital si pasojë e lëndimeve të rënda që marrin, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur së fundi në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku dy bashkëmoshatarë kanë hasur në telashe me njëri-tjetrin pas konflikteve që kishin në rrjete sociale.

Sinjali mëson se e i dyshuari i mitur ka shkuar në vendin ku ndodhej viktima dhe e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shufër metalike.

Si pasojë e kësaj, 15-vjeçari ka marrë lëndime të rënda në kokë, për çka edhe është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku po vazhdon trajtimin mjekësor.

Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Polici, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencën e prindit dhe avokatit të tij mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 24 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

/GazetaSinjali/