image E bëri për spital një person dhe më pas shtiu me armë, ky është i dyshuari që u arrestua në një motel në Viti

Siguri

E bëri për spital një person dhe më pas shtiu me armë, ky është i dyshuari që u arrestua në një motel në Viti

news image

Për motive ende të panjohura, një burrë në Gjilan mbrëmjen e së mërkurës sulmoi fizikisht një 45-vjeçar dhe më pas shtiu me armë drejt djalit të viktimës. Nga arma nuk e pësoi askush, por viktima mori lëndime të rënda si pasojë e goditjeve me mjet të fortë. Ndërkohë i dyshuari pas kryerjes së veprës, ishte larguar në drejtim të panjohur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Selver Lecaj, 42-vjeçar, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme.

Lecaj u gjet në një motel në Viti dhe sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollimit tek i dyshuari nga zyrtarët policor është gjetur dhe konfiskuar një (1) revole e tipit Gardinof e kalibrit 7.65 mm, një (1) fishek i kalibrit 7.65 mm, një (1) karikator dhe një (1) brisk si dëshmi për gjykatën.

42-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Ndërkohë viktima ishte dërguar menjëherë në Qendrën Emergjente në Gjilan, por për shkak të natyrës së lëndimeve, 45-vjeçari është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/