image Dy pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive janë në gjendje shumë të rëndë

Kosovë

Dy pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive janë në gjendje shumë të rëndë

news image

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 55 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve dy persona janë në gjendje të rëndë, tetë persona janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe 45 persona janë në gjendje stabile.

Kështu ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, i cili tha se në mesin e 55 pacientëve që janë në Klinikën Infektive dy prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë.

“Për momentin i kemi 55 pacientë të shtrirë në Klinikë të konfirmuar se janë të prekur me COVID-19. Gjendja shëndetësore e tyre e përgjithshme e 45 prej tyre është e mirë dhe janë në gjendje stabile. Ndërkohë që i kemi 8 pacientë me oksigjenoterapi dhe dy të tjerë i kemi në gjendje më të rëndë në repartin intensiv të Klinikës sonë, njëri nga ta është i intubuar në ventilim mekanik, po gjendja e këtyre dy personave që janë në repartin intensiv paraqitet shumë e rëndë”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk ka raste të reja me koronavirus brenda stafit shëndetësor të Klinikës Infektive dhe se të pesë infermieret e kësaj Klinike që ishin prekur me këtë virus janë shëruar.

“Për momentin nuk kemi staf të ri të konfirmuar, ju e dini që kemi pasur, e kam fjalën për Klinikën Infektive, e dini që kemi pasur pesë infermiere me COVID-19 pozitiv dhe që të pestat për fat janë shëruar. I kemi edhe punëtorët tjerë që i testojmë herë pas herë sipas indikacioneve i kemi nën mbikëqyrje”, tha ai.

Sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse, Krasniqi tha se si Klinikë qëndrojnë mirë dhe se deri më tani nuk kanë pasur mungesë sa i përket pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor

“Ne kemi thënë me kohë që Klinika Infektive qysh në fundin e janarit të këtij viti ka filluar përgatitjet për këtë pandemi dhe në radhë të parë kemi bërë vlerësimin e nevojave për mbrojtjen e personelit shëndetësor. Fal përkrahjes së jashtëzakonshme nga ana e SHSKUK-së dhe sidomos të barnatores qendrore të QKUK-së ne deri më tani nuk kemi pasur mungesë sa i përket pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor”, tha ai.

Deri më tani në vendin tonë janë 763 raste të konfirmuara me COVID-19, 21 persona kanë vdekur, ndërsa janë shëruar 166 persona./Gazeta Sinjali/