image Drejtuesi shqiptar i trafikut të drogës, Fatjon Gjonaj, ekstradohet nga Dubai në Itali

Shqipëri

Drejtuesi shqiptar i trafikut të drogës, Fatjon Gjonaj, ekstradohet nga Dubai në Itali

news image

Fatjon Gjonaj, një shtetas shqiptar i dyshuar si drejtues i një bande të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Italisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai u arrestua më 3 qershor në Dubai dhe mbërriti të premten në aeroportin Fiumicino të Romës rreth orës 18:15, nga ku u transferua menjëherë në paraburgim, nën urdhër të autoriteteve gjyqësore italiane.

Gjonaj konsiderohet si një bashkëpunëtor i ngushtë i Luca Lucci, ish-udhëheqës i fraksionit ultras “Curva Sud” të Milanit, i arrestuar më herët në prill 2025 për përfshirje në trafikun e drogës. Të dy dyshohet se drejtonin një rrjet të sofistikuar që importonte kokainë, hashash dhe marijuanë nga Maroku dhe Spanja drejt Italisë.

Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet italiane, grupi kriminal ka trafikuar mbi 3.5 tonë lëndë narkotike për vetëm shtatë muaj, duke siguruar fitime të mëdha – deri në 1 mijë euro për kilogram hashash dhe shumë më tepër për substanca të tjera. Hetimi nisi pas një atentati të ndodhur më 12 prill 2019 ndaj Enzo Anghinellit në Milano, që më pas çoi në zbulimin e rrjetit kriminal dhe arrestimin e 12 personave në dhjetor 2024 dhe prill 2025.

Sipas policisë italiane, lënda narkotike transportohej me kamionë drejt një magazine në Inveruno (pranë Milanos), për t’u shpërndarë më tej në treg përmes një skeme të rafinuar logjistike, që përfshinte edhe dy punonjës të Amazon për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.

Arrestimi dhe ekstradimi i Gjonajt shënojnë, sipas zyrtarëve italianë, një goditje të rëndësishme ndaj një prej degëve më të fuqishme të trafikut të drogës në veri të Italisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/