Zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare në Bërnjak kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara, me vlerë prej 30 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë selektuar për kontroll të vijës së dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj, ku gjatë intervistimit fillestar personat e ndaluar janë pyetur nëse posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim, me ç’rast kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar.
Pas kësaj, bëhet e ditur se është kryer një kontroll i detajuar i automjetit, përfshirë hapësirën e brendshme, bagazhin dhe një çantë personale krahu që përdorej për ruajtjen e dokumenteve, mjeteve monetare dhe sendeve të tjera personale, ku janë hasur mjetet monetare të padeklaruara, transmeton Klankosova.tv.
Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.
Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta:
-25,515 euro;
-565,060 dinarë serbë me vlerë të përafërt prej 4,813 euro.
Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara ka shkuar në 30,328 euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!