image "Do të të vras" - Sulmi ndaj një mjeku pro vaksinimit në Bullgari

Evropë

“Do të të vras” – Sulmi ndaj një mjeku pro vaksinimit në Bullgari

news image

Ivaylo Ivanov ishte në zyrën e mjekut në Novo Selo, një fshat i qetë në veriperëndim të Bullgarisë, kur është përballur me një vizitë të papritur.

Me kamerë në duar, Ventsislav Angelov, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të vaksinimit në Bullgari, ka hyrë në zyrë, i përcjellë nga një grua, burri i së cilës – me histori të problemeve me zemër – ka vdekur pasi është vaksinuar kundër koronavirusit nga Ivanov.

“Do të të vras, po të tregoj more bastard”, dëgjohet duke bërtitur Angelov. Ai njihet ndryshe edhe me nofkën “Çikago”.

Angelov, i cili është përfshirë në politika të krahut të djathtë dhe është kundërshtar i ashpër i masave për luftim të pandemisë, përfshirë vaksinimin, është arrestuar më vonë, teksa është rritur përkrahja për Ivanovin, i cili është përgjakur në sulm, ashtu sikurse Angelov.

Kryetarja e Novo Selos, Mareila Yordanova, ka thënë se Ivanov është shokuar nga incidenti dhe ka dhënë dëshmi para policisë.

“Tani për tani, shumë fshatra nuk kanë mjekë për shkak të këtij rasti”, ka thënë Yordanova.

Sipas Yordanovas, familja e burrit të vdekur ka jetuar në Gjermani për të paktën 10 vjet dhe burri ka kryer një mori operimesh jashtë shtetit.

“Ai ka pasur probleme me zemër. Ata nuk i kanë treguar mjekut këtë gjë”, ka thënë kryetarja, e cila ka theksuar se mjeku Ivanov është i vlerësuar në fshat dhe nga të tjerët në rrethinë.

“Ky mjek ka shërbyer për disa vjet dhe nuk e meriton këtë lloj trajtimi”.

Incidenti ka kthyer sërish vëmendjen te Bullgaria, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, me 7 milionë banorë, raporton REL.

Është e paqartë se me çfarë akuzash do të mund të përballet Angelov, mirëpo Sindikata e Mjekëve në Bullgari, i ka bërë thirrje policisë që të ndjekë këtë rast plotësisht.

Ky është një prej dy sulmeve që janë raportuar ndaj stafit shëndetësor në Bullgari në ditët e fundit.

Sindikata e Mjekëve të Bullgarisë ka thënë se do të mbrojë Ivanovin, duke ofruar ndihmë ligjore për të si dhe secilin mjek “që ka qenë subjekt i dhunës”.

/GazetaSinjali/