image Djali e denoncoi në Polici, dërgohet në paraburgim burri që keqtrajtoi gruan në Vushtrri

Drejtësi

Djali e denoncoi në Polici, dërgohet në paraburgim burri që keqtrajtoi gruan në Vushtrri

news image

Gazeta Sinjali më 17 maj raportoi për një rast të dhunës në familje në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, ku viktimë ishte një grua e cila përjetoi dhunë fizike e psikike nga bashkëshorti i saj. Në ndihmë asaj i doli djali, i cili denoncoi babain në Polici dhe i dyshuari menjëherë u arrestua.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se pas përfundimit të periudhës së ndalimit policor, gjatë ditës së djeshme, i dyshuari ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast është marrë vendimi për kërkesën e Prokurorisë.  

Ndaj të dyshuarit S.A., Gjykata ka marrë vendim që të caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 1 muaji, duke e ngarkuar me veprën penale “dhunë në familje”.

Detajet e rastit

Sinjali mëson se këtë herë rasti është raportuar në Polici nga djali i viktimës, i cili e ka denoncuar babain për presionin dhe dhunën që po ia shkakton nënës së tij.

Burri nga Vushtrria dyshohet se në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike bashkëshortes së tij. I shqetësuar për problemet e familjes, djali i çiftit ka vendosur që zgjidhja më e mirë është raportimi i rastit në stacion policor, ku ka kërkuar ndihmë nga Policia.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka prangosur burrin e dyshuar, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë, për veprën penale “dhunë në familje”.

Ndërsa viktima, siç mëson Sinjali është dërguar për kontroll mjekësor dhe më pas është kthyer në shtëpinë e saj.

/GazetaSinjali/