image Detajet e draftit të Asociacionit: S’është monoetnik, Qeveria e mbikëqyr financimin

Politikë

Detajet e draftit të Asociacionit: S’është monoetnik, Qeveria e mbikëqyr financimin

news image

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung është duke e prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Europian për Paqe (EIP).

Një përfaqësues i këtij fondacioni u shpreh se propozimi i tyre nuk është për formimin e një entitet juridik monoetnik.

“Ky nuk është propozim për entitet juridik monoetnik, është entitet i cili i formon komunat dhe duke u bazuar në të drejtën kushtetuese, komunat pikë së pari janë entitete juridike të cilat janë joetnike; janë të definuara në mënyrë kushtetuese”, tha ai.

Sipas këtij propozimi, Asociacioni mund të kërkojë në baza të rregullta informata nga autoritetet e Kosovës dhe nuk do t’i përmbys kompetencat e komunave që marrin pjesë në të. Gjithashtu, propozohet të mbahen lidhjet me autoritetet qendrore.

“Ka një nen gjithpërfshirës ku thuhet se Asociacioni nuk do të përmbysë autoritetet dhe kompetencat e komunave që marrin pjesë apo në çfarëdo mënyre t’i zëvendësojë lidhjet konsitucionale me autoritetet qëndrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës”, tha njëri nga përfaqësuesit.

Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë ka shqyrtuar në draft edhe çështjen e financimit të këtij asociacioni nga Serbia.

“Ka nene në sistemin ligjor të Kosovës që e rregullojnë financimin nga Serbia… Pra, do të rregullohej me ligjet e Kosovës”, ka thënë njëri nga përfaqësuesit.

Për financimin, thuhet se Qeveria e Kosovës “do të ketë mundësi mbikëqyrjeje në këtë aspekt”.

Nëse kryetari i asociacionit e humb pozitën e vet si kryetar i Komunës, propozohet që ai do ta humbte edhe pozicionin e kryetarit të Asociacionit.

/GazetaSinjali/