image Detaje nga krimi monstruoz ndaj Marigona Osmanit: 18-vjeçarja përjetoi politraumë, thyerje të brinjëve e shtyllës kurrizore

Drejtësi

Detaje nga krimi monstruoz ndaj Marigona Osmanit: 18-vjeçarja përjetoi politraumë, thyerje të brinjëve e shtyllës kurrizore

news image

Vrasja mizore e vajzës së re nga Ferizaj, Marigona Osmani, nga tashmë ish-bashkëshorti i saj, Dardan Krivaqa, ka tronditur gjithë vendin në gusht të vitit të kaluar. Ditën e djeshme Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, nën dyshimet se me dashje dhe në mënyrë makabre kanë privuar nga jeta të renë, raporton Gazeta Sinjali.

Në raportin e autopsisë jepen detaje rreth gjendjes shëndetësore në të cilën u gjet tashmë e ndjera, Marigona Osmani, si dhe lëndimet të cilat i mori ajo nga dhuna sistematike që ish-bashkëshorti ushtroi ndaj saj.

“Nga raporti i autopsisë rrjedh se e ndjera ka pasur lëndime të freskëta rreth syrit të majtë, të djathtë, përgjatë dorës dhe mjekrës, gjoksit, skequtllës, abdomenit, kofshës së majtë dhe të djathtë, krahut të majtë e të djathtë e të majtë, parakrahut të majtë e të djathtë. Ndërsa dëmishje dhe gërvishtje lëkurore ka pasur në faqen e majtë në fytyrë, në anën e majtë dhe të djathtë të qafës. Përgjatë dy faqeve dhe në nofullën e poshtme…. Thyerje të brinjëve dhe shtyllës kurizore. Ka pasur thyerje të unazës së parë dhe të dytë të qafës në mes tyre dhe këputje parciale të palës së qafës në atë regjion”, thuhet në detajet tronditëse në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.

Sipas aktakuzës, vdekja e Marigonës ka ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj dhe lëndimeve të shumëfishta si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme.

Në aktakuzë bëhet e ditur se në korridorin e banesës ku po jetonte çifti, Kirvaqa kishte vendosur kamera të sigurisë, të cilat dyshohet se i vendosi për të monitoruar të ndjerën.

“Në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë, e cila regjistron 24 orë . Regjistrimi ka kohën e saktë , kamera kishte pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjoja, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi , si dhe një dhome tjetër, të cilën e kap vetëm në një qoshe. Kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se Policia ka marrë DVR , që është dërguar për ekzaminim , ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orësh dhe atë nga data 19.08.2021 në orën 00:05 deri më 23.08.2021 në orë 00:18. 

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim , konkretisht , më 19.08.2021 , raportet në mes të pandehurit, Dardan Krivaqa, dhe të ndjerës kanë qenë të mira , këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu , i cili vjen në orën 16:18 , së bashku me Dardanin , ku me vete ka një çantë me rroba , në orën 19:02 , të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, së bashku me Dardanin”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, më 21.08.2021, në orën 02:40 , Dardan Krivaqa , pas mesnate derisa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani , e godet me dorë në fytyrë. Në bazë të pamjeve të marra nga kamerat, vërehet se Marigona tashmë e ndjerë nga këto goditje nuk ka kontroll të plotë , i merren mendtë.

“10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani , del në ora 10:14 , ku vërehet se e njëjta reziston , mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit , 10:48 , e dërgon me forcë në banjë , ku e ndjera është e zhveshur , ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09 , kur dalin i pandehuri është zhveshur , dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit , 13:43 , i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57 , kur i pandehur përmes telefonit kontakton një kohë të gjatë , ku pas këtij kontakti po atë ditë fillimisht në orën 22:00 del nga banesa dhe në orën 22:13 , kthehet me të pandehurin, Arbër Sejdiu , të cilët me vete kanë gjëra ushqimore”, përshkruhet ngjarja e rëndë në aktakuzë.

Në provat e Prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë flitet edhe për një shkop të cilin i dyshuari për vrasjen e Marigonës, ish-burri i sajm Dardan Krivaqa, po e mbante në duar.

“Arbëri merr shkopin dhe e largon nga dhoma e dërgon në sallon , 14:43 , nga sjelljet e të pandehurve rezulton se është edhe koha e vdekjes së të ndjerës , 14:47 , të pandehurit të ndjerën e marrin dhe e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj , ku të njëjtën e bart i pandehuri Dardan Krivaqa dhe së bashku me të është edhe i pandehuri Arbër Sejdiu , të cilën e lëshojnë në hyrje të Emergjencës dhe largohen nga aty”, thuhet tutje në aktakuzë.

I pandehuri, Arbër Sejdiu, në Prokurorinë Themelore të Ferizajt me datë 14.10.2021 dhe 06.06.2022 është mbrojtur në heshtje, ndërsa në stacionin policor në Ferizaj, me datë 22.08.2021, ka deklaruar se me 21.08.2021 , rreth orës 20:00 , është takuar me Dardanin në qytet. Gjatë bisedës, Dardani i ka treguar për problemet që i kishte me bashkëshorten e tij, Marigona Osmani , pasi dyshonte se ajo kishte pasur marrëdhënie me djalin dajës së Dardan Krivaqës , më pas, së bashku kanë shkuar në banesën e Dardanit, e cila gjendet mbi barnatoren “Zeka”, në Ferizaj , ku atë natë ka qëndruar në sallon, ndërsa bashkëshortja e Dardanit ishte në një dhomë tjetër , i cili herë pas here shkonte dhe e merrte në pyetje. Gjatë asaj kohe, kohë pas kohe kishte britma të bashkëshortes së Dardanit.

Arbri më tej ka shtuar se gjatë bisedës e ka pyetur Dardanin nëse ishte i sigurt që bashkëshortja e tij ishte duke e tradhtuar dhe, meqenëse në banesë ishin të vendosura kamerat, thekson se me telefonin e tij (Arbër Sejdiu) e kanë kontaktuar kompaninë e sigurimit “Syri” , punëtori i së cilës kanë shkuar të nesërmen rreth orës 10:30, i ka lëshuar kamerat dhe, pas një ore, pasi e ka mësuar Dardanin se si t’i kontrollojë video-incizimet, punëtori i sigurimit është larguar. Sejdiu ndërkohë shton se ka dalë dhe ka blerë nga një hamburger për vete dhe Dardanin dhe është shtrirë, ku edhe e kishte zënë gjumi, por Dardani pas pak e kishte thërritur dhe i kishte thënë se e kishte gjetur personin që kishte hyrë në banesën e tij, të cilin e kishte identifikuar.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njoftoi dje për ngritjen e aktakuzës kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht i vitit 2021 lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje, e privojnë nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje e kryejnë veprën penale “Vrasje e rëndë”.

/GazetaSinjali/