image Deputeti i VV-së vazhdon të krahasojë prokurorët e gjyqtarët me sistemin e Millosheviqit

Politikë

Deputeti i VV-së vazhdon të krahasojë prokurorët e gjyqtarët me sistemin e Millosheviqit

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka vazhduar të mbrojë qëndrimin e tij për sistemin e drejtësisë në Kosovë, teksa këtë sistem e krahason me atë të kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.

Një krahasim të tillë, Basha e kishte bërë ditë më parë, për çka mbrëmë në një studio televizive i reagoi ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila deklaratën e bashkëpartiakut e ka quajtur të papranueshme.

Por mëngjesin e sotëm reagoi sërish ligjvënësi nga Vetëvendosje.

Ai qëndron mbrapa idesë së tij që prokurorët e gjyqtarët në Kosovë, nuk dallojnë nga ata të epokës së Millosheviqit.

“Në Kosovën e pavarun dihet tanimë botnisht që ka prokuror që kanë bashkëpunu me agjentë të AKI-së me orkestru arrestimin e Kryeministrit Kurti, Kryeparlamentarit Konjufca, e disa tjerëve me qëllim të likuidimit politik dhe me tendencë me shpallë subjektin LV si “organizatë terroriste. Njejtë ka qenë në sistemin e Millosheviçit, pra kanë montu raste për  me dënu shqiptarë e qe besa edhe me na shpall terrorist?!”, ka shkruar Basha.

Ai ka vazhduar me krahasimet e tij edhe në rastin Dehari.

“Ky sistem i drejtësisë e ka majtë n’burg Astrit Deharin për 68 ditë pa aktakuzë, pa gjykim, dhe nuk e kanë marrë as në pyetje. Kryeprokurori Hoxha pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë, kurse Raporti i Institutit Zviceran e ka përjashtu vetëvrasjen e Astritit si mundësi. Sistemi fashist i Milloshit ka vepru njejtë, burgoske shqiptar dhe i nxjerrte të vdekur pa aktakuzë e gjykim! Pse duhet me thanë ndryshe?!”, shtoi ai.

Tutje, Basha ka ndërlidhur edhe disa raste të tjera, që sipas tij nuk dallojnë nga sistemi i Millosheviqit

“Kemi edhe rastin e Dardan Krivaqës, i cili ka pas dhjetëra vepra penale dhe ka qarkullu lirshëm derisa përfundoi në abuzimin, dhunimin dhe vrasjen e një vajze 18 vjeçare. Edhe në sistemin e Millosheviçit ka pas kriminel që na banin dëm edhe vazhdonin të qarkullonin të lirë! Qe 20 vite i madh e i vogël e dimë që na kanë vjedh, dhe prapë në këtë sistem të drejtësisë askush ende nuk e ka mbajtë asnjë ditë burg për korrupsion. Rastin PRONTO e shumë të ngjashme i ka nxjerr të “pafajshëm!” Njejtë vjedhshin kllapa e sistemit të Milloshit, asnjë kurrë nuk u akuzu për korrupsion! Pse duhet me kanë politikisht korrekt me njerëz t’prishtë që paguhen me shërby drejtësi qytetarëve, kurse punojnë me i shërby kriminelëve? Pse duhet me i amnistu llomat brenda sistemit të drejtësisë, që e dëmtojnë vendin, qytetarin dhe ia humbin mundin e nderin secilit njeri që ka luftu e vdek që ky vend me pas drejtësi, sepse fundja lufta në Kosovë ka ardh për shkak të padrejtësive të sistemit millosheviçian!”, ka shtuar Basha.

Krejt në fund deputeti ka thënë se të tillë nuk janë të gjithë pasi sipas tij “ka plotë prokurorë e gjyqtarë fantastik” por që sipas tij ata nuk avancohen sepse nuk janë të dëgjueshëm ndaj “bandave”.

/GazetaSinjali/