image Bushati e vlerëson pozitive letrën e Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Kosovë

Politikë/ Bushati e vlerëson pozitive letrën e Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

news image

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, e vlerëson pozitive letrën e kryediplomatëve Heiko Maas dhe Jean-Yves Le Drian për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Twitter, Bushati ka thënë se bashkpunimi transatlantik është thelbësor për të arritur një zgjedhje përfundimtare.

“Sinjale inkurajuese nga Heiko Maas dhe Jean Yves Le Drian në lidhje me rolin e BE-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkëpunimi transatlantik është thelbësor për të arritur një zgjidhje përfundimtare, për të parandaluar liderët që shfrytëzojnë ndarjet transatlantike dhe imponimin e zgjidhje etnocentrike”, ka shkruar Bushati.

Qeveria në detyrë ka mirëpritur letrën e përbashkët të dy ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në ekzekutiv thonë se edhe dy shtetet aleate të Kosovës po kërkojnë që procesi i dialogut të jetë i përgatitur mirë dhe ndërtuar në parime. Ndërsa, përkundër këtij insistimi, ata nuk japin një datë se kur mund të rifillojë ky dialog.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Prishtina zyrtare vendosi taksën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë, ndërsa Beogradi e kushtëzoi rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës.

Ndërsa më 1 prill të këtij viti, Qeveria Kurti hoqi taksën 100 për qind dhe rivendosi masën e reciprocitetit me Serbinë. /Gazeta Sinjali/