image Burgim i përjetshëm për tre shqiptarët e akuzuar për vrasjen e avokatit grek

Rajon

Burgim i përjetshëm për tre shqiptarët e akuzuar për vrasjen e avokatit grek

news image

Gjykata e Apelit në Athinë ka lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë për vrasjen e avokatit të njohur grek Michalis Zafeiropoulos.

Për këtë vrasje, të cilësuar si e kryer me paramendim dhe me gjakftohtësi, gjykata kishte dhënë tre burgime të përjetshme për Klodian Lekoçajn, Brahim Brahimin dhe Olti Duçen pasi i gjeti fajtorë për organizimin dhe kryerjen e vrasjes së avokatit grek.

Të tre ata gjenden të burgosur tashmë në Greqi për krime të tjera, ndërsa dënimit do t’i shtohen edhe ato që Apeli i Athinës la sot në fuqi.

Të tre shqiptarët akuzohen se planifikuan dhe ekzekutuan vrasjen e avokatit të njohur grek për shkak të një porosie të marrë nga një biznesmen tjetër grek.

Sipas mediave greke, ishte Aristides Floros ai që kërkoi ekzekutimin e avokatit Zafeiropoulos pas një gjyqi që kishte kompania e Floros me shtetin grek, i cili përfaqësohej nga i ndjeri, raporton Albeu.com

Bëhet fjalë për një aferë 260 milion euro që Floros i kishte përfituar dhe ishte hedhur në gjyq nga shteti grek që kishte avokat pikërisht Zafeiropoulosin.

Gjykata ka zbuluar se Floros i kërkoi shqiptarëve vrasjen e avokatit që po i hapte probleme. Por nuk mbaron këtu.

Pasi kryen vrasjen e avokatit, mes shqiptarëve dhe ndaj tyre filloi një furi tjetër vrasjesh, një pjesë për larje hesapesh si edhe për të humbur gjurmët.

I gjithë grupi i drejtuar nga Klodian Lekoçaj dhe Arbër Bako (i therur në burg para dy vitesh) u shkatërrua me disa të vrarë, të tjerë të arratisur dhe me Lekoçajn në burg përjetë./Gazeta Sinjali/