image Britania e Madhe mbështet të ardhmen e Kosovës në NATO

Britania e Madhe mbështet të ardhmen e Kosovës në NATO

news image

Drejtori për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit të Britanisë së Madhe, Giles Portman, deklaroi sot se vendi i tij është mbështetës i plotë i së ardhmes së Kosovës në NATO, gjë e cila do të kontribuojë në stabilitet dhe siguri në rajon dhe përtej, raporton Gazeta Sinjali.

Ai gjatë një takimi në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani ritheksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës që nga periudha e luftës, duke përfshirë angazhimin në kuadër të NATO-së, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që nga shpallja e pavarësisë.

Në këtë drejtim, ajo tha se Britania e Madhe mbetet një prej partnerëve dhe aleatëve më strategjikë të Kosovës.

Osmani theksoi që institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen në hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe dhe fuqizimin e atyre ekzistues, gjersa ka vënë theks të veçantë te fusha e sundimit të ligjit, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimeve tregtare, arsimit, si dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e agjendës së gjelbër.

Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për ndihmën dhe angazhimin e Britanisë së Madhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se zbardhja e fatit të tyre dhe vendosja e drejtësisë janë parakusht për paqe të qëndrueshme dhe sukses në procesin e dialogut. /Gazeta Sinjali/