image Brenda 10 minutash dy xhami në Ferizaj cak i hajnave, vidhen para e dëmtohen arkat

Siguri

Brenda 10 minutash dy xhami në Ferizaj cak i hajnave, vidhen para e dëmtohen arkat

news image

Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës jo rrallëherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë, e sidomos arkave të cilat vendosen me para të dedikuara për bamirësi. Në 24 orët e fundit kanë ndodhur disa raste të tilla. Sinjali mëson se përveç Mitrovicës, edhe në Ferizaj, hajnat ua kanë mësy dy xhamive.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy rastet kanë ndodhur brenda një intervali kohor prej 10 minutash, ku në njërën xhami nuk kanë arritur të marrin paratë, teksa në xhaminë tjetër janë vjedhur një shumë të të hollave dhe kanë shkaktuar dëme.

Xhamia në të cilën u vodhën paratë është në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku hajnat kanë depërtuar brenda duke hapur me forcë një dritare. Rasti u zbulua nga disa qytetarë që po e falnin namazin e sabahut.

Ndërkohë pas 10 minutash, edhe në xhaminë tjetër në rrugën “Ramadan Ferizi”, u tentua të kryhet vjedhje, por plani nuk u shkoi hajnave.

Burimet nga Prokuroria thonë se rastet janë denoncuar në Policinë e Kosovës, të cilët me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa janë ndërmarrë veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

/GazetaSinjali/