image Borrell tregon se kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi

Kosovë

Deklarata/ Borrell tregon se kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi

news image

Shefi i politikës së jashtme të BE-së (Bashkimi Evropian), Josep Borrell, ka dhënë sinjale se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë së shpejti pasi tash Kosova ka formuar qeverinë e re.

“Qeveria e Kosovës është formuar një javë më parë. Kosovarët nuk kanë pasur qeveri dhe nuk kanë mundur që të nisin bisedimet, por tani kanë qeveri”, ka thënë Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane thotë se ai me gjasë nuk do të ndërmjetësojë këtë dialog mes dy shteteve fqinje dhe se BE-ja do të duhej të emëronte një të dërguar të posaçëm. Borrell nuk e ka mohuar mundësisë që në këtë pozitë të emërohet ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak.

“Nuk ka rëndësi se kush do të jetë, por mendoj se na duhet dikush që e njeh rajonin, që është një diplomat me eksperiencë dhe që ka vullnet të angazhohet sepse e dini se kjo punë kërkon punë 25 orë në ditë, çdo ditë. Nuk mund të punoni për një javë dhe të shkoni të bëni diçka tjetër”, shprehet Borrell për REL.

Shefi i diplomacisë së BE-së thotë se unioni do të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, por ai thotë se u mbetet palëve që të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.

“Dialogu duhet të jetë ndërmjet tyre. Ne nuk do ta diktojmë, ata duhet të dialogojnë mes tyre, në mënyrë që të arrijnë marrëveshje ndërmjet tyre. Ne mund t’u ndihmojmë, ne mund t’i shoqërojmë, mund të krijomë stimuj, por nuk mund të marrim rolin as të serbëve e as të Kosovës. Është diçka që duhet të bëhet nga ta”, thotë Borrell.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur në vitin 2011. Bisedimet u ndërprenë në fundin e vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar që Kosova të heqë taksën në mënyrë që të nisë dialogu.

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet, por do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.

Së fundmi, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kërkuar nga Kosova që të heqë taksën, por pa vendosur reciprocitet dhe në anën tjetër, ka kërkuar nga Serbia që të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës./GazetaSinjali/