image Blinken: Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira

Politikë

Blinken: Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira

news image

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se liderët serbë dhe kosovarë do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjë që do të sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Në një deklaratë, ku uron Serbinë për Ditën e shtetësisë, Blinken është shprehur i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jetë i madh”, citohet të ketë thënë më tej Blinken.

Blinken theksoi se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik që ka me Serbinë me synimin për një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, si dhe se SHBA mbështet fuqishëm ambiciet evropiane të Serbisë.

Veç këtyre, Blinken i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër “luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale” të Rusisë.

/GazetaSinjali/